Si të kultivosh mendësinë e zhvillimit duke mësuar të përqafosh sfidat
Blog

Si të kultivosh mendësinë e zhvillimit duke mësuar të përqafosh sfidat

25-03-2023

Nga Albina Bardhi
__________________

 

Siç e ka natyra njerëzore, ne jemi të prirur të kërkojmë qetësinë dhe rehatinë dhe të shmangim dhimbjen apo gjëra që na lëndojnë e na bëjnë të ndihemi jo mirë me veten. Por, ndërsa është e natyrshme të dëshirojmë të qëndrojmë në zonën tonë të rehatisë, kjo mund të kufizojë potencialin tonë dhe të na pengojë të arrijmë qëllimet tona. Kultivimi i një mendësie zhvillimi personal e profesional (growth mindset) mund t’ju ndihmojë të çliroheni nga ky model kufizues i të menduarit dhe të përqafoni sfidat si mundësi për rritje.

 

Çfarë është  mendësia e zhvillimit personal e profesional?

Mendësia e zhvillimit apo e rritjes është besimi se aftësitë dhe inteligjenca juaj mund të zhvillohen përmes punës së palodhur, përkushtimit dhe këmbënguljes. Është e kundërta e një mendësie fikse, që është besimi se aftësitë, kapaciteti dhe inteligjenca juaj janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen.

Zakonisht, individët me mendësi zhvillimi apo rritjeje kanë më shumë  gjasa të marrin përsipër risqe apo të përballen me sfida dhe të vazhdojnë e të përpiqen pavarësisht tyre, sepse ata i shohin dështimet dhe pengesat si mundësi për të mësuar dhe për tu rritur. Po këta individë kanë më shumë gjasa të kërkojnë vlerësim (feedback) nga të tjerët dhe ta përdorin atë për të përmirësuar veten dhe aftësitë e tyre.

 

Si të kultivoni mendësinë e rritjes?

Më poshtë listohen disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë.

 

 

Përqafoni sfidat

Në vend që të shmangni sfidat, mbështetuni në to. Shikojini ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur dhe mbani mend se dështimi është një pjesë e domosdoshme e procesit të të mësuarit.

Mendon se nuk ja del dot? Mendon se nuk je aq i mirë sa duhet? Pikërisht! Mendon. Pse nuk e provon? Sido të shkojë në fund të paktën do e marrësh vesh.

 

Përqendrohuni në proces

Në vend që të fiksoheni mbi rezultatet, përqendrohuni në procesin e të mësuarit dhe rritjes. Festoni fitore të vogla dhe përparimet gjatë rrugës. Kujtoni gjithë gjërat që nuk i dinit më parë, por i kuptuat tani dhe veproni sipas asaj që mësuat.

 

Kultivoni dashuri për të mësuarit

Qëndroni kuriozë dhe kërkoni vazhdimisht përvoja dhe njohuri të reja. Sfidoni vazhdimisht veten për të mësuar dhe përmirësuar. Një aftësi të re, një informacion i ri, çfarëdo që rrit bagazhin tuaj intelektual. Ka kaq shumë mundësi sot dhe mbi të gjitha falas. Vetë aksesi në informacion është shumë i çmuar. Mësoni ta përdorni si duhet.

 

Praktikoni Positive Self-Talk

Kontrolloni bisedat tuaja me veten dhe zëvendësoni mendimet negative me ato pozitive.

Në vend që t’i thoni vetes “Unë nuk mund ta bëj këtë”, thoni “Unë mund të provoj ta bëj këtë dhe mund t’ia dal me praktikë dhe përpjekje”.

Mos nguro! Shkruaji! Telefoniji! Binde veten të aplikosh. Më e keqja që mund të ndodhë? Nuk do të pranojnë dhe do mbetesh po aty ku je.

 

Rrethojeni veten me njerëz me mendësi rritjeje

Rrethoni veten me njerëz që kanë mendësi rritjeje dhe ju inkurajojnë të rriteni dhe të mësoni. Kërkoni modele apo mentorë që mishërojnë cilësitë që dëshironi të zhvilloni. Merrni më të mirën nga to.

 

 

Duke kultivuar një mendësi zhvillimi, ju mund të transformoni mënyrën se si i shihni sfidat dhe pengesat që hasni. Në vend që të stepeni, provojeni. Me praktikë dhe përkushtim, mund të fuqizoheni, të arrini qëllimet tuaja, të rritni vetëbesimin dhe të arrini potencialin tuaj të plotë. Mos harroni ama! Nuk mund të jesh i mirë në gjithçka. Këtë as nuk jua kërkon kush. Eksploroni dhe shikoni ku gjendeni më mirë. Provoni dhe mësoni!

 

Ndaje me miqte

Blog

3 Strategji: Si të përgatitemi për tregun e punës

3 Strategji: Si të ...

3 këshilla – Si të silleni gjatë një eventi pune

3 këshilla – Si ...

Këshilla praktike: Si të ndërhyjmë gjatë takimeve online, pa u treguar të pasjellshëm

Këshilla praktike: ...