Kurset e Shkurtra: Një Trend Në Zhvillim i Të Mësuarit Online
27-06-2022
Mikroedukimi ka një të ardhme premtuese në sferën e edukimit dhe zhvillimit. Është një metodë apo strategji tepër efikase për këdo që kërkon të përmirësojë njohuritë dhe aftësitë në një kohë të shkurtër dhe organizatat e kompanitë mund ta implementojnë atë në kurset e trajnimit online.
Çfarë është Mikroedukimi?
Mikroedukimi është nje metodë e shkëlqyer dhe efikase e të mësuarit, e cila informacionin e përcjell në pjesë të vogla më të përtypshme për nxënësin/studentin. Infomacioni shoqërohet atëherë kur duhet me përmbajtje multimediale për të mësuar aftësi, njohuri dhe sjellje. Kjo formë e të mësuarit ka për qëllim t’i sigurojë nxënësit me informacionin e nevojshëm në kohën e duhur. Në këtë artikull, do të eksplorojmë çfarë është Mikroedukimi,si e lehtëson procesin e të nxënit apo të mësuarit nga shtëpia dhe në punë, dhe cfarë këshillash mund të ndjekim për të marrë më të mirën e kësaj forme të mësuari.
Mikroedukimi është ideal për tu përdorur nga menaxherët në trajnimin e punonjësve në aftësi të reja apo në përditësimin e njohurive ekzistuese. Me pak fjalë, i referohet të mësuarit me pjesë të vogla në kohë të shkurtër. Përmbajtja mund të marrë shumë forma, por arsyetimi që lidhet me këtë strategji është që nxënësit do të aksesojnë informacionin në mënyra të ndryshme dhe në kohë të shkurtër.
Disa shembuj të përmbajtjeve në Mikroedukim janë:
- Video
Videot janë forma më e përhapur e paraqitjes së një përmbajtjeje në mikroedukim. Video tutorialet jane perfekte për demonstrimin e aftësive të reja ose për shpjegimin e proceseve të thjeshta.
- Kuicet
Kuicet janë një mënyrë vetëvlerësimi dhe ndihmojnë nxënësit që të vlerësojnë atë që kanë mësuar dhe të përqëndrohen në përmbajtjen që do i ndihmojë më tepër. Përciptazi, kuicet i tregojnë nxënësve nëse janë të aftë në detyrat e thjeshta apo nëse kanë nevojë për më shumë trajnim në tematika më të avancuara. Pyetësorët dhe kuicet në mikro-kurse shërbejnë për të ofruar vlerësime të shpejta dhe në kohë reale për nxënësit në mënyrë që ato të dinë si të përmirësohen.
- Podcast
Podcast-et janë një nga format më të njohura të kësaj metode mësimdhënie. Individët mund t’i dëgjojnë rrugës për në punë, gjatë vaktit të drekës, duke bërë ecje-praktikisht kudo dhe kurdo që ata dëshirojnë. Përparësi është fakti që podcast nuk kanë nevojë për pajisje të sofistikuara apo për aftësi teknike; pajisje të tilla si Anchor janë të lehta për tu përdorur dhe nga fillestarët.
- Leksionet dhe prezantimet
Mësimdhënia e bazuar në leksione shpesh shpenzon kohë dhe para, dhe për këtë arsye nuk është gjithmonë zgjedhja më e mire për çdo ambient pune. Mikroleksionet kërkojnë shumë më pak kohë për tu përgatitur dhe i japin nxënësve një mënyrë më të shpejtë për të marrë dhe mësuar informacionin e ri.
- Imazhet
Janë një mënyrë e shkëlqyer për të përcjellë ide dhe koncepte të thjeshta. Nuk janë aq ndërvepruese sa videot por sërish arrijnë të ndihmojnë individët për të mbajtur mend informacione thelbësore të prezantuar në kohë të shkurtër. Studimet tregojnë se të mësuarit vizual rrit mundësinë për të mbajtur mend nga 29% në 42%, duke qenë se imazhet ruhen direkt në kujtesën tonë afatgjatë.
- Teksti
Teksti është një formë e njohur e mikroedukimit. Të gjithë ne, lehtësisht shkruajmë në tastierë atë që duam të shprehim, por kjo nuk është aq e thjeshtë për ata që janë fillestarë në një gjuhë ose që janë duke mësuar shprehje të reja në një gjuhë tjetër. Menaxherët duhet të përdorin këtë formë të paraqitjes së përmbajtjes me kursim, duke qenë se kërkon më tepër kohë dhe është më pak angazhues për punonjësit.
- Lojërat
Në varësi të objektivave të të mësuarit, lojërat mund të ndihmojnë me aspekte të tilla si mendimi kritik apo strategjitë e bashkëpunimit. Ndonëse lojërat mund të mos jenë të dobishme për trajnimin e punonjësve mbi shërbimin e klientit apo procese administrative, ato mund të jenë ndihmuese nëse po kërkoni të përmirësoni punën dhe frymën e bashkëpunimit në grup.
A e dinit se? Tetë nga dhjetë profesionistë të fushës se edukimit dhe zhvillimit preferojnë mikroleksionet në vend të kurseve tradicionale të të mësuarit.
A është Mikroedukimi efektiv?
Hulumtimet tregojnë se po, Mikroedukimi është vërtet një metodë efektive e të mësuarit. Individët janë më të angazhuar kur mësojnë në kohën dhe ritmin e tyre.
Disa arsye pse ky lloj mësimi funksionon kaq mirë:
Ndihmon në mbajtjen mend
Mikro-mësimet mund të rrisin mundësitë e mbajtjes mend sepse kur të dhënat copëtohen dhe ndahen në pjesë të vogla nxënësit nuk kanë nevojë të mbajnë mend aq shumë informacion në të njëjtën kohë. Bazuar në hulumtimin e RPS, mikro-kurset ndihmojnë në përmirësimin e të mbajturit mend gjatë me rreth 80%. Punonjësit kanë më shumë gjasa të mbajnë mend informacionin e paraqitur pasi kanë dëgjuar ose parë diçka vetëm një herë.
Është e lehtë për të mësuar dhe rishikuar
Individët mund të përfshihen në këtë metodë mësimore në çdo kohë, kudo. Nuk kërkon shumë kohë ose përpjekje për të përfunduar detyrat, ndryshe nga leximi i dokumenteve të gjata ose videot që zgjasin një orë. Mikroedukimi bën të mundur që individët me orare të ngjeshura të ndjekin ecurinë e tyre dhe të qëndrojnë në kontroll të aftësive të reja që kanë fituar. Pavarësisht nëse punonjësit tuaj kanë nevojë për një rifreskim të aftësive ose ju dëshironi të ndani informacione të rëndësishme me ta shpejt, kjo metodë është e përsosur për nxënësit që janë në lëvizje.
Është një mënyrë efektive për të përditësuar njohuritë dhe për të mësuar informacione të reja
Mikroedukimi është gjithashtu një mënyrë efektive për të përditësuar njohuritë ekzistuese ose për të mësuar më shumë në lidhje me një temë. Mikrokurset janë të shkurtra, të lehta për t’u mbajtur mend dhe të përshtatshme për nxënësit që nuk mund të marrin pjesë në seminaret formale të të mësuarit për çfarëdo lloj arsye. Nuk kërkon shumë kohë dhe është e përkryer për individët që punojnë me turne ose kanë kufizime të tjera që i pengojnë ata të studiojnë në mënyrën tradicionale.
Mund të ndihmojë në uljen e kostove
Mikroedukimi mund të ndihmojë në uljen e kostove sepse individët mund të mësojnë atë që u nevojitet sipas kohës së tyre. Kjo do të thotë se ata nuk duhet të paguajnë për të gjithë kursin – vetëm atë që u nevojitet në ato momente.. Për më tepër, përdorimi i Mikroedukimit për menaxhim efektiv të performancës është një mënyrë e shkëlqyer për të shmangur kostot e panevojshme dhe kohën e shpenzuar në trajnim. Ai u mundëson nxënësve të aksesojnë informacionin në çfarëdo mënyre që u përshtatet atyre, dhe kjo i ndihmon nxënësit të mbajnë mend informacionin, duke rritur kështu performancën.
Individët duan informacion shpejt
Me të gjitha shpërqendrimet me të cilat përballen individët gjatë ditës, nuk është çudi që shpejtësia është avantazhi kryesor i metodës së mMikroedukimit. Në fakt, sipas hulumtimit të Bradbury, intervali i vëmendjes së një individi zvogëlohet në mënyrë të qëndrueshme pas 20 minutash. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të ndash përmbajtjen në pjesë të shkurtra që kuptohen lehtësisht; perfekte për individët që kanë shumë për të mësuar në shumë pak kohë. Duke e zbërthyer informacionin në mësime të shkurtra dhe të përtypshme, është më e lehtë se kurrë të merrni njohuritë që ju nevojiten për të marrë vendime më të mira dhe për të përmirësuar efikasitetin tuaj.
Si përdoret mikroedukimi në të mësuarin elektronik (e-learning)?
Të mësuarit elektronik u mundëson nxënësve të aksesojnë kurset dhe përmbajtjen e tyre në platforma dhe portale të bazuara në ëeb. Ecën paralelisht me mikroedukimin, pasi u jep njerëzve akses në mikro-kurse në çdo kohë, kudo në pak minuta. eLearning përfshin kurse në internet dhe lloje të tjera materialesh trajnimi të ofruara përmes formateve të ndryshme digjitale, duke përfshirë video dhe module interaktive që merren nga kudo, kurdo. Të mësuarit elektronik mund të përdorë qasjen e të mësuarit mikro duke zbërthyer informacionin në module të shkurtra që përvetësohen lehtë, perfekte për individët që janë pjesë e eLearning.
Një studim tregon se nxënësit në një klasë online kanë një interval më të shkurtër vëmendjeje për shkak se janë më të ndikuar nga shpërqendrimet. Kështu, kompanitë dhe mjediset e tjera mësimore mund të përfitojnë shumë nga mikro-mësimet.
Këshilla sesi mund të përdorni Mikroedukimin në eLearning
Përdorimi i Mikroedukimit në eLearning mund të duket i ngatërruar, pasi disa njerëz nuk janë të sigurt se si ta ndajnë përmbajtjen në pjesë më të vogla. Për t’i bërë gjërat më të lehta, zhvilluesit e eLearning dhe drejtues të tjerë në një organizatë mund të ndjekin këto këshilla:
- Theksoni informacionin më të rëndësishëm
- Për shkak të kufizimeve kohore dhe angazhimeve të tjera, disa njerëz mund të mos lexojnë gjithçka në kurset e tyre online. Një mënyrë se si mund të përdorni strategjinë e-Mikroedukimit për ta zgjidhur këtë është duke theksuar se në cilën përmbajtje duhet të përqendrohen nxënësit në fillim. Kjo mënyrë mund të ndihmojë në vendosjen e theksit në disa elementë dhe zbërthimin e mësimeve në pjesë më të shkurtra. Për më tepër, përdorimi i teksteve me ngjyra dhe prioritizimi i materialit mësimor mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve të të nxënit dhe mbajtjes mend duke e zhvendosur fokusin tek ajo që është më e rëndësishme.
- Përdorni formate të ndryshme të mikro-përmbajtjes
Siç u përmend më parë, ka shumë forma të ndryshme të paraqitjes së përmbajtjes në dispozicionin tuaj për të ndihmuar në përmirësimin e strategjisë tuaj të eLearning. Kjo përfshin video të shkurtra, imazhe dhe infoskeda, slideshoës, tekste dhe madje edhe kuice interaktive, të gjitha mënyra efektive për të zbërthyer informacionin në pjesë më të vogla. Këto lloje të përmbajtjes mund të ndihmojnë në rritjen e njohurive të nxënësve në një periudhë të shkurtër kohe, duke i ndihmuar ata të ruajnë informacionin më mirë për të përmirësuarperformancën. Përdorimi i formave të ndryshme të përmbajtjes u jep individëve të ndryshëm mundësinë për të mësuar më shumë rreth një teme duke përdorur metodën e tyre të preferuar. - Përcaktoni sa kohë kanë në dispozicion nxënësit tuaj
Është e rëndësishme të merrni parasysh sa kohë të lirë kanë nxënësit tuaj, në mënyrë që të mund të jepni përmbajtje në përputhje me rrethanat e tyre. Në këtë mënyrë, ju mund t’u siguroni njerëzve informacionin menjëherë, dhe si rezultat ata do ta përvetësojnë më mirë materialin. - Siguroni dhe referenca të tjera për materialet plotësuese
Meqenëse mikroedukimi kërkon që ju të zbërtheni informacionin në pjesë më të vogla, ai mund të ndihmojë dhe në përmirësimin e mësimit elektronik nëse nxënësit kanë akses në burime shtesë. Për shembull, në vend që t’u ofroni nxënësve një artikull të gjatë, digjitalizuesit duhet të ofrojnë linqe që u lejojnë nxënësve të shikojnë më shumë video dhe të lexojnë materiale të tjera brenda hapësirës së tyre kohore të preferuar. Është gjithashtu thelbësore të informohen individëtse ku mund të kenë akses në materialet shtesë për mësim të mëtejshëm të pavarur. - Gamifikimi i përmbajtjes
Individët shpesh e lidhin mikroedukimin me kuice të shkurtra dhe përmbajtje të tjera ndërvepruese. Por, përveç këtyre, gamifikimi i Mikroedukimit mund t’i ndihmojë gjithashtu individët të mësojnë më shumë rreth një teme, pasi rrit angazhimin e tyre me materialin. Gamifikimi ndihmon në rikujtim dhe përforcon një marrëdhënie pozitive me të mësuarit. - Mos mbingarkoni përmbajtjen me shumë informacione
Nxënësit duhet të jenë në gjendje të mbajnë mend lehtësisht informacionin, që do të thotë se ata kanë nevojë për përmbajtje të thjeshta dhe të përmbledhura që nuk kërkojnë shumë lexim ose studim. Shkrimi i paragrafëve të gjatë mund ta bëjë më të vështirë për individët që të mbajnë mend informacion, sepse ata do të shpërqendrohen më lehtë nga detyrat e tjera. Mbajeni përmbajtjen të shkurtër dhe të thjeshtë, por kini parasysh se duhet të ketë gjithmonë një objektiv ose qëllim të qartë mësimor, kështu që përpiquni të mbani parasysh prioritetet tuaja të të mësuarit. I gjithë ky organizim mund të duket si shumë punë, por ia vlen përpjekja për të përmirësuar përvojën në eLearning.
Pse Mikroedukimi është e ardhmja e trajnimit në vendin e punës
Mikro-mësimet kanë një të ardhme premtuese në vendin e punës. Ato i lejojnë individët të përvetësojnë sasi të madhe informacioni në kohë të shkurtër, e cila vlerësohet shumë në ambiente profesionale të cilat operojnë me ritme të shpejta. Më poshtë shtrohen disa nga përfitimet e shtuara për mikro-nxënësit në vendin e punës:
Është më shumë logjik
Modulet e mikroedukimit përqëndrohen ne koncepte dhe mësime specifike. Kjo ndihmon punonjësit që të mësojnë më shumë rreth një teme për më pak kohë në mënyrë që mos të shpenzojnë orët e tyre të çmuara të punës për materialet e trajnimit.
Punonjësit mund të mësojnë sipas nevojës
Mikroedukimi ka të bëjë me shpërndarjen e përmbajtjes tek individët kur ata kanë nevojë për të. Meqenëse nxënësit mund të mësojnë në kohën e tyre, ata mund të rregullojnë orët e tyre të studimit rreth orëve të tyre të punës në vend që të caktojnë orë të caktuara për trajnim.
Mund ta përdorni kudo nga celulari juaj
Pajisjet celulare përdoren kudo në ditët e sotme, qoftë gjatë orarit të punës për të folur me klientët apo për arsye personale. Për këtë arsye, përdorimi i mikro-mësimeve me anë të internetit mund të ndihmojë që materialet mësimore të behen të aksesueshme kudo që individët janë. Bën të mundur që individët të kenë akses në informacionin e tyre mësimor sipas kërkesës pa qenë nevoja të presin derisa të kthehen në shtëpi.
A e dinit se truri mund të mbajë vetëm një sasi të kufizuar informacioni – saktësisht pesë informacione të ndryshme – në të njëjtën kohë. Kujtesa njerëzore mund të ketë mbivendosje të informacioneve nëse sasia e informacionit është e madhe pasi këkron më shumë kohë për tu përpunuar dhe , për këtë arsye mund të themi se Mikroedukimi bën dhe sens biologjik.
Përfundime
Mikroedukimi është një strategji e shkëlqyer për t’u përdorur kur dëshironi të përcillni shumë informacion tek individët në një kohë të shkurtër. Mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për çdo nevojë, por patjetër që ia vlen të merret parasysh për programin tuaj të trajnimit të punonjësve dhe mund të jetë shumë i dobishëm në shoqërinë e sotme që lëviz me ritme të shpejta.
Burimi: Mario Buljan, “Microlearning 101: An Evolving eLearning Trend”, 20.12.21